QYTETI IM, DËSHIRA IME, ZHGËNJMI IM, DHEMBJA IME

Nga: Visar Haxhibeqiri - 2012-04-29

QYTETI IM, DËSHIRA IME, ZHGËNJMI IM, DHEMBJA IME (vështrim nga “perspektiva e Zogut”) …..Qyteti nuk është një tekst i rrallë, bile nuk është tekst fare. Do të ishte iluzioni më i keq nëse qyteti lexohet si një objekt, prandaj ai është një formë e jetës, një entitet shoqëror. Qyteti në funksion të ndërtesës arkitektonike, apo ndërtesa arkitektonike në harmoni me qytetin? E ngrita këtë problematikë që në fillim të këtij shkrimi protestues e njëherit e

Në qoftë se arkitektura (sipas postulatit të parë të saj) duhet të jetë në shërbim të vlerave jetësore dhe humane, atëherë sa është e logjikshme, që kjo arkitekturë të bëhet dorë e zgjatur e xhelatit apo exhel i pa ftuar për qytetin, i cili i strehon, i rrit, dhe ju jep jetë banorëve të tij. Mjeshtëria dhe zotësia në arkitekturë është përpos objektit edhe në hapësirën e cila e rrethon objektin arkitektonik. Pikërisht kjo është “thembra e Akilit”, ku shumë nga kolegët tanë të dashur po e humbin vetën, e bashkë me ta po ja ngulfatin frymën qytetit duke ia shkurtuar edhe vitet e jetëgjatësisë. Është kjo një pyetje thelbësore dhe shumë e thjeshtë e cila gjen përgjigje shumë të lehtë dhe të saktë logjike profesionale. Edhe përkundër kësaj po vazhdojnë Don Kishotët me “T” vizore në dorë në luftë tashmë jo me mullinjtë e erës por me shkatërrimin e hapësirave tona jetësore kualitative – Qyteteve!.

Për të mos vazhduar me përgjithësime do ndalem me theks të veçantë në disa prej rasteve të tilla të cilat si larva po vazhdojnë të shumohen dita ditës në qytetin tim, në dëshirën time, në zhgënjimin tim, në dhimbjen time – Gjakovën.

Gjakova, ka pasur një linjë të dukshme zhvillimi urban në shekuj, ku me kohë ky mjedis u zhvillua në një qendër urbane për lakmi. Nuk ka nevojë për njohuri të thella në fushën e urbanizmit, për ta pa shtrirjen e mirëfilltë dhe të dallueshme të zhvillimit dhe rritjes graduale të qytetit. Duke filluar me pjesën e vjetër të qytetit i cili me arkitekturën karakteristike të asaj kohe dhe të formave themelore urbanistike si mëhallët dhe çarshia tregon zanafillën e zhvillimit organik të strukturës urbane të qytetit të Gjakovës në periudhën e sundimit Osman, strukturë e cila edhe sot është një veçori e cila ndikon në përcaktimin e identitetit të qytetit.

Zgjidhja Urbanistike e Qendrës së qytetit morri jetë nga Plani Hapësinorë i asaj kohe, implementimi i së cilës u shoqërua me një proces jo pak të dhimbshëm (sa i përket ekspropurimit të pronave të asaj kohe). Kësaj Qendre, iu deshën dekada që të fitoj identitetin e ri urban sikurse pjesa e vjetër e qytetit. Pas luftës PRRU “Gjakova 2005” i hartuar nga CMA- ja në bashkëpunim me Kuvendin Komunal, për shkak të burokracisë së këtij të fundit dhe nga mungesa e akceptimit “të së resë” nga mendësitë e vetëdijsimit të ulët të pronarëve të tokave si dhe nga mungesa e vullnetit të qëndrueshëm të të gjithë aktorëve vendim marrës në këtë proces, - këtij projekti “ iu pre bileta” që të dënohet me të ashtuquajturën në arkitekturën teorike “Arkitekturë e letrës” (arkitektura e cila nuk gjen zbatim – dhe nuk e sheh dritën e ndërtimit).

Reperi kryesorë i kësaj pjese – Hotel Pashtriku – krenaria me 5 yje, duke iu “falënderuar” procesit të privatizimit i cili e gjymtoj dhe e sakatoji, sot lëngon i copëtuar si për nga funksioni (ku në të s’është çudi të gjeni edhe shitore mishi, shitore të teknikës së bardhë, etj), po ashtu edhe për nga trajtimi i jashtëm arkitektonik i cili e zhvlerësoj totalisht pamjen hirplote të dikurshme. Avaria dhe çrregullimi vazhdoj me rrënimin e hotelit të vjetër “Pashtriku” i rinovuar e me shumë vështirësi i inkorporuar në qendër. Në këto rrënoja, ngjitë me këtë strukturë të shkatërruar nga brenda, këtij bukuroshi hirplotë dikur – këto ditë do t’i shtohen edhe dy “proteza”, dy ndërtesa banimi ngjitë me të, të cilat do t’ia japin edhe goditjen e fundit shkatërrimtare Qendres së ngushtë të qytetit. Ndërtimi i tillë në lokacionin e Qendrës së ngushtë të qytetit nuk ka asnjë shpjegim urbanistik. Nuk e di , a mendon dikush!, a kanë sy së paku këta të ashtuquajtur arkitektë që çdo ditë ecin më shumë se tri – katër herë në ditë buzë asaj rruge. Rasti në fjalë është zhgënjim i pa parashikueshëm, gabime të tilla mund të hasësh vetëm në semestrin e parë të fakultetit të arkitekturës. Ndërtesa nuk funksionon dhe jeton si një strukturë e izoluar në vetvete, ajo duhet të shkrihet e harmonizohet me rrethinën pjesë e së cilës edhe duhet të jetë. Projektimi dhe ndërtimi në një zonë kaq të rrezikshme për nga ndjesia, nuk është punë individësh që kryhet brenda natës, por është një sfidë që kërkon ngërthim mendimesh, idesh e përvojash të shumë individëve ( urbanistëve, arkitektëve, artistëve, inxhinierëve, filozofëve, publikut etj.)Këto dy objekte kurrsesi nuk guxojnë të koncipohen si një gjë e vetme, nëse veç duhet të ekzistojnë aty (gjë që dyshoj në vërtetësinë e këtij fakti), atëherë ato detyrimisht duhet të trajtohen në aspektin hapësinor si pjesë përbërëse e Qendrës, andaj gjithsesi duhet të futen së pari nën llupën e profesionistëve.

Pas këtyre rreshtave paksa po ndjehem më i lehtësuar edhe pse i vetëdijshëm që kjo punë e imja i ngjason një shprehjeje të cilën gjyshi im shumë shpesh e citonte: > ( demek kjo është punë e kryer). Paramendoni dhe merreni me mend paradoksin më të madh, të gjitha ekspertizat “janë kryer” (këtë e them me ironi) dhe sot e kësaj dite këto objekte janë pajisur me pasaporta legale, d.m.th gëzojnë Lejen ndërtimore.

Më e keqja e gjithë kësaj pune është që veprimet e tilla nuk janë veprime të izoluara, por janë krime ordinere të cilat po përhapen si kancer në trupin ende vital të qytetit tim, dëshirës sime, zhgënjimit tim, dhembjes sime – Gjakovës. Veprime të tilla të pa përgjegjshme hasim edhe në pjesën e re të qytetit që shtrihet në pjesën jugore të qytetit (apo në Bllokun e ri – emërtim që përdoret në zhargonin e banorëve,) – pjesë e cila i përmbush të gjitha normat dhe standardet urbanistike të një lagjeje me përmbajtje individuale të banimit të ulët. Një mjedis mirë i projektuar, rregulluar, e ndërtuar, rregull i cili reflektohet me zbatimin e përpiktë të vijave rregulluese dhe ndërtimore, një harmoni e pa shoqe e katshmërisë (etazhitetit) të shtëpive (ku kryesisht janë P+1 dhe P+2), insolim i mjaftueshëm i arritur me orientimin perfekt të vendosjeve të shtëpive në kuadër të parcelave ( kryesisht shtrirje jug- lindje), rrugë të drejta dhe të gjëra të pajisura me shirit për biçiklist si dhe oaza të mjaftueshme gjelbërimi, rrugë me një sistem ortogonal të projektimit të udhëkryqeve të cilat po ashtu janë të organizuara, shenjëzuara dhe sinjalizuara për mrekulli. Nuk janë të pakta rastet kur në këtë ambient të mirëfilltë urbanistik të ngrenë kokën objekte të cilat vazhdojnë në vertikale pa kurrfarë kriteri duke prishur dhe shkatërruar një nga pjesët më të bukura të qytetit tim. Jam përkrahës i madh i renovimeve urbane dhe përshtatjes së tyre zhvillimeve të reja në botë duke përfshirë ekonominë aktuale të tregut, por ajo çka po ngjet me veprimet e tilla nuk do të na falet dhe do të ketë pasoja afatgjate dhe të pa riparueshme. Kështu që edhe kjo pjesë e qytetit ka filluar të bie pre e keqpërdorimit dhe abuzimit me profesionit më fisnik – arkitekturën, keqpërdorim i cili drejtpërdrejtë po shkaktohet nga njerëz ogurzi, matrapaz e profiter të ndryshëm për të cilët thelbësore është vetëm përfitimi errët material duke mos qarë fare kokën për të bukurën arkitektonike dhe rregullin e harmonin urbane. Matrapaz të cilët direkt apo indirekt mbështetën nga personeli teknik që udhëheq sektorin e urbanizmit – përgjegjës për ndodhitë arkitektonike dhe urbane në qytetin tim.

Më tmerron fakti që po vazhdoj kështu edhe për shumë gjatë, nuk do të jetë e largët dita kur qyteti im Gjakova do të përfundojë si një zonë informale e cila zhvillohet vetvetiu.
Ishte kjo përpos një vështrim dhe shprehje e një mllefi e indinjate qytetare, njëherit edhe apel gjithë aparatit shtetëror – lokal dhe atij vendim marrës që të kursej gjeneratat e ardhshme nga vendimet e individëve, nga vendime tekesh sepse edhe ashtu Gjakova nuk është aq e madhe të ketë luksin e krijimit të palaçove në çdo cep të rrugëve.

© Visar Haxhibeqiri.
16/08/09

http://onupks.com/blog/?p=2698

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.