ANALIZË KRAHASUESE - Origjinat e urbanistikës moderne

Nga: URBANmagnet - 2017-03-20

Libri “Origjinat e urbanistikës moderne” që kam zgjedhur ta elaboroj në kuadër të punimit seminarik , është një libër që shkon përtej historisë së urbanistikës moderne, përtej origjinave të saj, si dhe përtej rrjedhës së ngjarjeve që çuan në transformimin e qyteteve.

ANALIZË KRAHASUESE LIBRIT:

“Origjinat e urbanistikës moderne”- Leonardo Benevolo
Autor i shkrimit: cand. MSc. Albert MUSTAFA, arkitekt

HYRJE

Libri “Origjinat e urbanistikës moderne” që kam zgjedhur ta elaboroj në kuadër të punimit seminarik , është një libër që shkon përtej historisë së urbanistikës moderne, përtej origjinave të saj, si dhe përtej rrjedhës së ngjarjeve që çuan në transformimin e qyteteve. Ky libër tenton të përcjellë në një mënyrë apo në një tjetër filozofinë politike e cila ndikon në mënyrë direkte apo të tërthortë, por të domosdoshme, në formimin dhe transformimin e qyteteve.

“Urbanistika moderne nuk është vetëm një përpjekje pë të përfaqësuar vizualisht këtë ngjarje, revolucionin industrial, duke i transferuar aspiratat e tij në organizimet hapësinore, por gjithashtu vihet konkretisht në rolin e një prej faktorëve që bashkëpunojnë në ndërtimin e një komuniteti demokratik.” 1

Gjithashtu në kuadër të librit, autori i jep fokus edhe faktorit njeri në tërë këtë mes të zhvillimeve, madje do të ishte e palogjikshme të mos i ipej njeriut ky fokus, sepse për njeriun dhe rreth njeriut sillen të gjitha zhvillimet. Në këtë kontekst janë trajtuar pra pabarazitë sociale dhe utopitë socialiste në njërën anë, si dhe humanizmi në anën tjetër, si faktorë që kanë qenë të lidhur direkt me urbanistikën e asaj kohe.

“Origjinat e këtij reformizmi të ri, ku urbanistika është një nga aspektet më të dukshme, janë qartësisht të lidhura me humanizmin që pushtoi një pjesë të madhe të literaturës në dhjetëvjeçarët përpara revolucionit të vitit 1848, frymëzuar pjesërisht nga utopitë socialiste, por më shpesh i prirur për të mbytur gjykimet e angazhuara në një qarje të pafund për vuajtjet e të varfërve dhe një thirrje të vakët për solidaritet universal.” 2

Gjatë elaborimit të këtij libri, do të ndalemi më shumë tek kapitujt ku flitet për formimin e qyteteve industriale, epoken e shpresave të mëdha, si dhe pjesën ku autori trajton revolucionin e vitit 1848 dhe pasojat e tij.

____________________
1. B. Leonardo, Origjinat e urbanistikës moderne, përkth. shq. DITURIA, Tiranë 2011, f.48
2. Vep. cit., f.122

INDUSTRIALIZMI DHE URBANISTIKA MODERNE

Është e pashmangshme për secilin autor që trajton çështjen e “modernizmit”, marrja në konsideratë e industrializmit, si fenomen me të cilin, apo për shkak të së cilit fillon të menduarit ndryshe për arkitekturën dhe urbanistikën në përgjithësi. Pra fillon të mendohet ndryshe për mënyrën e të jetuarit, për një mënyrë të re, për një modernizëm në të krijuarit arkitekturë.
Gjithsesi, kjo prap lidhet me atë që potencova në hyrje, pra faktori njeri dhe çështja e rritjes së popullsisë si pasojë e natalitetit .

“ Ndryshimi i parë vendimtar është rritja e popullsisë, si pasojë e uljes së koeficientit të vdekshmërisë, që për herë të parë dallohet qartë nga koeficienti i lindjeve.” 3

Autori përmend gjithashtu faktin se si pas numrit në rritje të banorëve, si pasojë e transformimeve ekonomike, ndryshon edhe shpërndarja e tyre në territor.

Më pastaj përshkruhen në mënyrë më të detajuar këto transformime ekonomike, duke u përkthyer në ngjarje konkrete të kohëve të cilave u takojnë, më konkretishtë duke u fokusuar në zbulimet apo shpikjet e makinave të ndryshme që u bënë nga njerëz të profesioneve të ndryshme , siç ishin makinat e ashtu quajtura: “fly shuttle”(çikiriku fluturues) , “jenny”, pastaj makina e pare tjerrëse me enegji hidraulike “water frame”, si dhe pas këtyre u gjet mënyra e zëvendësimit të energjisë hidraulike me makinën me avull të Vatit. 4

“ Kështu, vetëm gjatë një brezi, nga viti 1760 deri në vitin 1790, u kryen përparime teknike që bënë të mundur një zhvillim të planifikuar të prodhimit industrial. Zhvillimi i industrisë dhe përqendrimi i tyre në uzina të mëdha tërhoqën mjaft familje nga zonat bujqësore të jugut tek ato minerare të veriut e qendrës, të cilat u transferuan nga shtëpitë e izoluara të fshatit në lagjet kompakte të ndërtuara në afërsi të uzinave; në këtë mënyrë lindën papritmas qytete të reja dhe shumë qytete të vjetra u rritën edhe më tepër.” 5
____________________
3. Vep. cit., f.13
4. Informata të detajuara në vep. cit., f.15, 16
5. Vep.cit., f.18

Këto transformime që ndodhën në atë periudhë kohore, bënë që të ndryshojnë edhe banesat dhe mënyra e jetesës në to nga shumica e popullsisë angleze, gjithashtu edhe mënyra e përdorimit të truallit dhe vetë peisazhit.

Benevolo më tej shton: “Kultura ekonomike dhe politike e kohës tronditet më tepër nga rënia e strukturave tradicionale sesa nga të rejat që ndërtohen dhe teorizon veçanërisht kundërshtimin e lidhjeve e institucioneve që pengojnë përhapjen e lire të nismave të reja.” 6

Ilustrimet dhe përshkrimet e mëpastajme në libër kanë të bëjnë, apo tentojnë të paraqesin zhvillimet urbanistike të qyteteve dhe pjesëve të qyteteve të ndryshme europiane, të periudhës së industrializmit.

____________________
6. Vep. cit., f.20



SHPRESAT E MËDHA TË EPOKËS 1815-1848 NGA KËNDVËSHTRIMI I AUTORIT

Pas luftës dhe fitores së qershorit të vitit 1815, nuk pati ndonjë lehtësim për fundin e luftës sepse, suksesi ushtarak prap se prap i la të pandryshuara vështirësitë e shumta dhe shqetësimet për situatën e brendshme.

“Familjet që braktisën fshatin dhe u dyndën në përqendrimet industriale, u strehuan ose në hapësirat boshe brenda lagjeve të vjetra, ose në ndërtimet e reja në periferi që shpejt u shtuan fuke formuar lagje të mëdha përreth qendrave të vjetra.” 7

Më pas autori spjegon se si ndërtimi i shtëpive të reja apo përshtatja e atyre ekzistuese ishte punë e spekulatorëve privatë. Për shkak të konkurrencës, cilësia e banesave, ashtu si edhe paga dhe koha e punës , ishte thuajse më e keqja që familjet punëtore ishin të detyruara ta përballonin.
Çështja e higjenës gjithashtu trajtohet si problem i kësaj periudhe, për shkak të ndërtimeve të pakontrolluara që kanë lulzuar në kohën e industrializmit.

“Mungesa higjenike relativisht e përballueshme në fshat, bëhet e padurueshme në qytet, shkaktuar kjo nga afërsia dhe numri tepër i madh i banesave të reja.” […] “Lagjet e banimit zakonisht ndërtoheshin pranë vendeve të punës, prandaj shtëpitë dhe ndërmarrjet shpesh ishin ngjitur, këmbeheshin pa asnjë lloj rregulli dhe shqetësonin njëra tjetrën .” 8

Benevolo na sjellë në disa pjesë të librit edhe përshkrimin e lagjeve ose qyteteve të ndryshme, për shembull pëshkrimin e qytetit te Mançesterit, që bëri Engelsi më 1845, dhe lagje e qytete tjera.

Më pas ai shton: “ ..qyteti industrial është një fakt i ri, i krijuar shpejtë, nën sytë e vetë njerëzve që përballojnë vështirësitë.”

Mirëpo, vështirësitë që mund të përballojë njeriu, kanë një farë kufiri, i cili po u arrit, do të çoj gjithmonë në humbjen e durimit, dhe në shkëndijat e para të pakënaqësisë së shfaqur fuqishëm ,pra revoltës qytetare. Dhe më pastaj, dihet se në këso raste shpesh përdoren politika shtypëse nga ana e qeverive në pushtet.
Kështu ndodhi pikërishtë ne Mançester, në vitin 1819, incidenti i pare i rëndësishëm që shënon fillimin e konflikteve sociale të shek. XIX: episodi i Petërlosë.

___________________
7. Vep. cit., f.33
8. Vep. cit., f.35
9. G. M. Trevelyan, Storia dell’ Inghilterra nel secolo XIX (1922), Torino 1945, f.256

Autori përmend në libër përshkrimin e kësaj ngjarjeje nga ana e Treveljanit 9, ku me 16 gusht 1819, në fushën e S. Peter, në Mançester, në grumbullimin e një grupi të
paarmatosur njerëzish, numri i të cilëve ishte rreth 60.000 burra, gra e fëmije, tek të cilët më pastaj intervenoi policia për të arrestuar oratorin dhe radikalin e njohur Hant, ndërsa mitingu po zhvillohej normalishtë. Përplasja mes policisë dhe turmës, bëri që të ketë viktima tek pjesa e popullatës, ku ngelën të vdekur së paku 11 veta, përfshirë dy gra, mbi njëqind u plagosën nga shpatat, dhe qindra të tjerë u goditën nga kuajt. Gratë e goditura ishin mbi njëqind.

Kështu pra filloi edhe i ashtuquajturi “revolucion industrial” , “ku urbanistika moderne nuk është vetëm një përpjekje për të përfaqësuar vizuelishtë këtë ngjarje, por gjithashtu vihet konkretisht në rolin e një prej faktorëve që bashkëpunojnë në ndërtimin e një komuniteti demokratik.” 10

Këtë periudhë pra, Benevolo e quan si epokë të shpresave të mëdha, siç edhe e ka titulluar kapitullin ku flet për ngjarjet e kësaj periudhe.

VITI 1848 DHE PASOJAT E TIJ

Vite më vonë nga ngjarjet që përshkruajtëm më lartë, në vitin 1848, ndodhë një ngjarje tjetër pasuese dhe moment i rëndësishëm i rrjedhave të mëtutjeshme shoqerore, politike e urbanistike.

“Revolucioni i vitit 1848, ashtu sikurse është moment vendimtar në historinë e kulturës dhe përvojës politike të shek. XIX, ashtu është edhe një pike kyçe në historinë e urbanistikës moderne.” 11

Benevolo më tej tregon periudhën e bashkimit të lëvizjeve opozitare punëtore dhe borxheze në Francë, duke treguar se shkaku i këtij bashkimi të përkohshëm nuk ishte vetëm taktik, sepse në kurriz të grupeve politike ushtronte presion klasa punëtore e ndërgjegjësuar për kushtet e saj dhe e shqetësuar për t’i përmirësuar ato.

“Revolta punëtore e qershorit të vitit 1848, pas mbylljes së “ateliers nationaux” e bënë përfundimisht të pamundur revolucionin ekonomik të teorizuar nga socialistët; lëvizja punëtore nga kjo doli konfuze dhe e përçarë; por u bë e ndërgjegjshme për kontrastin e interesave që ekzistonin përtej debatit politik dhe për domosdoshmërinë për ta përballuar atë në një nivel të ri kritik dhe organizativ; lëvizja punëtore merr kështu drejtim të ri, shkencor dhe ndërkombëtar.” 12

Ndër preokupimet e klasës punëtore ishte edhe çështja e banimit, ku më pas si rezultat erdhën edhe nismat e para për strehim popullor, të subvencionuar nga sipërmarrës private ose nga shteti.
Autori pastaj trajton idenë e transformimeve urbanistike të qyteteve të mëdha nga viti 1850 e më pas, ku thotë se qytetet si Parisi, Lioni, Brukseli, Vjena, Barcelona, Firenca, janë zhvillime që duhet vlerësuar në këtë kuadër politik e ideologjik.

“Ideja e një plani të vetëm për një qytet përfshinë praninë e një modeli ideal, që dallohet dhe i kundërvihet realitetit; në fakt, në këtë periudhë kthehemi të sodisim një imazh gjeometrik të qytetit, që ka po aq uniformitet e rregullsi sa ka edhe çrregullim e deformim në strukturën urbane ekzistuese.” 13
____________________
11. Vep. cit., f.119
12. Vep. cit., f.121
13. Vep. cit., f.144

Në vitin 1872, Engelsi bënë një seri tipike të artikujve te gazeta “Volksstaat” e Leipzigut, në lidhje me çështjen e strehimit dhe banesave.

Në një nga këto artikuj ai potencon:
“Ajo që një familje prodhon me punën e vet nga kopshti ose nga parcela e saj, kthehet në një mundësi që konkurrenca i lejon kapitalistit të ulë çmimin e fuqisë punëtore; punëtorët janë të detyruar të pranojnë çdo kontratë, sepse në të kundërtën nuk do të marrin asgjë dhe ata nuk mund të jetojnë vetëm me prodhimet që jep parcela e tyre..”13

Kështu, vazhdon më tej Benevolo, me zhvillimet që pasuan, nga cities ouvriers napoleniane, fshatrat model anglez dhe kolonitë e Krupëve, janë hallkat e para të një zinxhiri përvojash që do të çojnë te cite industrielle të Garniesë, te lagjet e Berlazhit ( Berlage ), te Siedlungen të Frankfurtit e Vjenës.

“ Në këtë pike, faktet kërkojnë një përballje të re ndërmjet programeve urbanistike e atyre politike, përballje që e kapërcen hendekun e hapur mbi 150 vite më parë. Kjo është detyra që kemi përpara.” 14

Ajo që mund të them si përfundim në lidhje me këtë libër, është fakti që Benevolo arrinë të na e sjellë në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë, lidhshmërinë e ngjarjeve si jo të pavarura, por të lidhura ngushtë me shumë fushveprimtari, e sidomos më politikën, si faktor që ndikon direkt në jetën e secilit, shpeshëherë pa të dhënë alternativë të zgjedhjes. Prandaj edhe si pasojë e kësaj, ishin të nevojshme revolucionet që përshkruhen në libër, në kërkim të kushteve më të mira për jetesë. Pra urbanistika është politikë, sepse politika është urbanistikë ( përderisa përmes politikës mundësohen apo pamundësohen, madje ndikohen direkt apo indirect, idetë e planifimit urbanistik ).

____________________
13. F. Engels, Rreth çështjes së banesave (1872), bot. shqip. f.17-18
14. B. Leonardo, Origjinat e urbanistikës moderne, përkth. shq. DITURIA, Tiranë 2011, f.162

Ngjashmëritë në mes realitetit dhe aktualitetit politik e urbanistik në Kosovë (Prishtinë) dhe ngjarjeve të trajtuara nga Benevolo në këtë libër

Nëse kthehemi në vitet 1997-2000, në periudhën e luftës në Kosovë, mund edhe të tërheqim një paralele me ngjarjet e industrializmit të kohës për të cilën flet autori. Edhe pse jo fort të krahasueshme për nga zhvillimet, por të krahasueshme së paku nga mënyra e rrjedhës së gjërave.
Përderisa në qytetet indrustriale, kishim krizë të kushteve të jetesës për shkak të ndërtimeve të pa kontrolluara dhe për shkak të afërsisë së ndërtesave të banimit me ato industriale, si dhe problemeve higjenike dhe të tjerave që u shtruan më lart si probleme, dhe problemet e strehimit të punëtorëve, në Kosovë kishim gjendje lufte në periudhën e cekur, ku kishte gjithashtu shkatërrime të mëdha të objekteve të banimit, dhe rrjedhimisht nuk kishte vendstrehim për shumë familje që ktheheshin pas luftës (vitet 2000-2001), e që i gjenin shtëpitë e shkatërruara e të djegura, dhe të pabanueshme.
Si rrjedhojë, shumë prej këtyre familjeve që kishin qenë banorë të fshatrave para luftës, tani meqë shtëpitë u ishin shkatërruar, ata ua mësyen qyteteve në kërkim të një strehe për banim, dhe një jete më të mirë në qytet. Kjo është mjaftë e krahasueshme me kohën e industrializmit, ku siç e përshkruam, popullata shpërngulej tek pjesët ku ndodhte zhvillimi industrial, duke mbi populluar kështu zona të caktuara.
Caku i “bombardimeve” nga ana e këtyre njerëzve, në masë të madhe ishte kryeqyteti-Prishtina.
Si pasojë e gjendjes së pasluftës, ku mungonte kontrolli dhe zbatimi i ligjit, ky numër njerëzish që shpërnguleshin në Prishtinë, ose uzurponin banesa, ose ndërtonin pa leje kudo që gjenin hapësirë.
Kjo nuk ndodhi vetëm 1 apo 2 vite pas luftës, por si pasojë e qeverisjes korruptive të partisë në udhëheqje të Komunës së Prishtinës në periudhën për të cilën po flasim, ky trend i zhvillimeve dhe ndërtimeve pa kontrollë e planifikim, vazhdoi për 15-të vite, ku më ndërtimet nuk ishin vetëm si shkak i nevojës për strehim, por e gjithë kjo ishte kthyer në biznes e në afera korruptive në mes biznesmenëve, dhe klaneve mafioze brenda qeverisjes lokale të Prishtinës. Si pasojë ka rezultuar me 46.000 ndërtime të egra, gjatë gjithë këtyre viteve.
Tanimë jeta e shumë qytetarëve të Prishtinës është vështirësuar dukshëm, dhe qyteti është ngulfatur nga gjithë këto ndërtime të pakontrolluara.


Është interesant se si përveç ngjashmërive në aspektin urbanistik, ka edhe ngjashmëri në aspektin e zhvillimeve politike, ku së fundmi si pasojë e nevojës për një jetë më të mirë , qytetarët e vetëdijesuar të vendit, janë ngritur në protesta e demonstrata në shenjë revolte edhe të mungesës së zhvillimit në të gjitha dikasteret thuajse, por edhe për shkak të politikave të gabuara të qeverisjes aktuale. Edhe kjo qeveri, si ajo që pëshkruhet nga Benevolo në atë kohë, tenton të përdorë aparatin shtetërorë për të shtypur dhunshëm masat e pakënaqura të popullit.
Njejt sikur në atë kohë, ku në mes të turmës së protestuesve, në një përleshje të fuqishme (të cilë e permendëm tek kapitulli “epoka e shpresave të mëdha), ku arrestohet prijësi i protestave dhe oratori radikal Hant, në Kosovë e njejta thuajse ndodhi me liderin e opozitës dhe prijësin e tentativave për ndryshime rrënjësore të vendit, me 28 nëntor 2015.

Por, vullneti i popullit për ndryshim, si dhe nevojat në rritje të qytetarëve në njërën anë, dhe mospërfillja e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë në anën tjetër, po vazhdojnë.
Mbetet të shihet nëse kjo epokë e zhvillimeve në Kosovë, do të jetë epoka që më vonë do të mund ta quajmë “epokë e shpresave të mëdha”.15

Nga zhvillimet politike që do të ndodhin, varet edhe zhvillimi urbanistik e ekonomik, madje edhe kulturorë i shoqërisë sonë të përbuzur e të anashkaluar gjithë këto vite, si pasojë e një kaste politike të papërgjegjshme e të korruptuar.

____________________
15. Siç e titullon kështu autori njërin kapitull të librit

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.