ECOWEEK Prishtina 2015 - Aktiviteti i javës

Nga: Ecoweek Prishtina - 2015-10-02

Po mbërrin fundin java e ekologjisë në Prishtinë. Punëtoritë realizojnë prezantimet për publik.

Prishtina, kryeqyteti më i ri në Evropë, është ilustrues shumë i mirë i stilit të jetës sot. Arkitektura, së pari është reflektim i jëtës së një shoqërie, dhe së dyti është edhe aktori kryesor i formësimit të kësaj të fundit. Kështu, qyteti na flet për menyrën si kemi jetuar, si jetojmë dhe si do të jetojmë. Në këtë shekull, globi po kalon nëpër të njëjtat sfida sa i takon mënyrës së të jetuarit, e rrjedhimisht edhe mënyrës së të ndërtuarit. Sot, filozofë të ndryshëm, artistë, arkitektë, urbanistë e plot profesionistë të të gjitha lëmive, lobojnë për një jetë më afër natyrës, më afër klimës, më afër tokës.

Pas revolucionit industrial dhe modernizmit, ndërtimi e arkitektura, pësuan edhe ato revolucion drastik, duke ndjekur kërkesat e njerëzimit dhe zhvillimit të qyteteve, por edhe duke ndikuar plotësisht stilin e tyre të jetës, mënyrën se si ata lëvizin nëpër qytet, banesa, shkolla, zyra; pra si lëvizin e jetojnë në hapësirë.
Nëpër të njëjtat përplasje ka kaluar edhe qyteti ynë. Shembulli më tipik është shkatërrimi i arkitekturës tradicionale vernakulare dhe betonizimi i qytetit.

Kështu lindi Ecoweek Prishtina, pjesë e rrjetit ndërkombëtar ECOWEEK, që është një platformë konsultative për veprim të përbashkët, e cila ndjek parimet e edukimit, pjesëmarrjes civile, bashkëpunimit dhe dizajnit të qëndrueshëm. Ajo synon të rrisi vëmendjen mbi çështjet ambjentale, duke promovuar një jetë “të gjelbër”, për të ndikuar jetën e komunitetit.


EcoWEEK Prishtina 2015, e cila po mbahet nga 27 Shtatori deri më 04 Tetor 2015, në Modelarium – Fakulteti i Arkitekturës, Prishtinë, është në vitin e dytë të saj. Kjo ngjarje e mundësuar nga organizata joqeveritare ECOciety, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmban ligjërata dhe diskutime mbi projektimin e qëndrueshëm dhe ka për synim të mbledhë studentë dhe profesionistë, vendorë e ndërkombëtarë, për të shkëmbyer ide dhe teknika ndërtimi ambjentale.

Kjo javë nisi paraditen e së hënës, më 28 Tetor, me prezantimin e pjesëmarrësve të punëtorive, me tutorët dhe temat e projekteve, e ndjekur me hapjen zyrtare në orën 18:00, me një kokteil e bashkim profesionistësh dhe përshëndetjet e Dekanit të FNA, partnerëve, themelueses së EkoWEEK Prishtina, Argjirë Krasniqi, dhe me prezantimet e të ftuarve të konferencës.

Elias Messinas, arkitekt me formim prej shkollës Yale School of Architecture dhe konsulent në ceshtjet e dizajnin ambjental, themelues i rrjetit ECOWEEK më 2005 në Athinë, Greqi, prezantoi një përmbledhje të shkurtër të filozofisë së Ecoweek dhe aktivitetit këto 10 vite.

Despoina Kouinoglou, e diplomuar në Agrikulturë dhe e specializuar në Hortikulturë e Arkitekturë të Peizazhit, përfaqësuese e Ecoweek në Thessaloniki, ndau me publikun eksperiencën e saj me Ekoweek. transmeton URBANmag.net

Pas folësve të EKOWEEK, konferenca vijoi me arkitekten franceze Margot Clerg, e specializuar në eco-housing (banesat ekologjike), asistente e Dominique Gauzin-Müller për TERRA Award, pjesë e ekipit Studio Anna Heringer. Ajo ndau me publikun filozofinë e punën e kësaj studio, me parimin “Arkitektura është mjet për të përmirësuar jetë.” Arkitektja prezantoi projekte të tipologjive të ndryshme, si shkollë, qendër trajnimi, banesë, hostel, muze etj, të gjitha me materiale vendore dhe projektuar sipas analizave të gjata të kërkesave të pronarëve të këtyre hapësirave. Këto ndërtesa me arkitekturë vernakulare janë dëshmia e asaj që mund të arrihet, duke patur si referencë parimet ekologjike.
Komuna e Prishtinës, u përfaqesua nga Gyler Mydyti, e cila paraqiti një historik të planeve zhvillimore të qytetit.

Java vijoi me ligjëratat e arkitektëve francezë Nicola Delon dhe Jean Robert Mazaud.

Nicola Delon, arkitekt themelues i studios “ENCORE HEREUX” (“Ende i Lumtur”), prezantoi projektet kyç të studios, të tipologjive të ndryshme dhe tejet eksentike. Publiku i Prishtinës pati rastin të njoftohet me propozime dhe ide tejet inteligjente dhe të spikatura, të gjitha me qasje qëndrueshmërinë. Arkitekti ka spikatur që në moshë të re, me propozimet e studios së tij tejet eksentrike. Projektet e shumta të Encore Hereux si: Herbes Folles, Petit Bain, Wagon Jeux, Chinoise, Room-Room; ndërhyrjet arkitektonike e urbane si: Dromad Air, Gourbi Pallace, Mus, Cine 32 etj, u përshëndetën edhe nga arkitekti i famshëm J.R.Mazaud, i cili ligjëroi pas Delon, e mbi të gjitha, na dhanë ne një këndvështrim të ri.

Jean Robert Mazaud e nisi prezantimin e tij duke përgëzuar Delon dhe vijoi me një prezantim të qyteteve pilot mbi dizajnin e qëndrueshëm. Ai ndau me publikun idetë mbi qytetet në shkallë të madhe, mbi gjeografinë e tyre dhe mbi sektorët kryesorë që ndikojnë këto zhvillime. Ai shtjelloi për profesionistët e rinj sektorët kryesorë, që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve: (I)Energjinë, (II)Agrikulturën, (III)Transportin, (IV)Industrinë, (V)Ndërtimin, (VI)Mbetjet.

Grupit të folësve, këtë vit, iu bashkua dhe Artan Raça, arkitekt i Tiranës, i cili me prezantimin e tij për Ecoweek Prishtina 2015, “Arkitektura, arti i përgjigjes ndaj kushtëzimeve”, ishte për herë të parë në Prishtinë. Arkitekti ndau me publikun histori profesionale e personale, përcaktuese të arkitekturës e karrierëa së tij.

Së fundmi konferenca mirëpriti Katerina Mojanchevska, kandidate doktorate në Rotterdam, Hollandë, mbi Shkupin. Ajo bëri një analizë të zgjeruar të koncepteve lokale e globale dhe qëndrueshmërinë nga perspektiva interkulturore, ilustruar me historikun e Shkupit nga projektimi në 1963 e ai i mëvonshmi në 2014, zhvillime që e kthyen qytetin me kontekst urban kultural, me parimet e shkatërrimit, zhdukjes apo neglizhimit të “memorjes së të tjerëve”.

Ligjëratat u përmbyllën me Dekanin e Fakultetit të Arkitekturës Naser Kabashi, i cili prezantoi për studentët teknika të reja dhe ekzistuese të projektimit me materiale vendore në Kosovë e rajon.

Ecoweek Prishtina 2015, zhvilloi këtë vit, pesë punëtori për Prishtinën. Ato u zhvilluan gjatë këtyre ditëve nga ora 9:00 – 18:00. Gjatë pushimeve të drekës, pjesëmarrësit janë shoqëruar edhe me shfaqje filmash të shkurtër dhe prezantime të partnerëve të Ecoweek.

W1 – Projektimi i një shtëpie ekologjike në Kosovë
Tutorë: Gëzim Paçarizi, Arnisa Kryeziu, Brixhita Deda
Në një lagje të caktuar të Prishtinës, studentët e kësaj punëtorie, projektuan një shtëpi ekologjike, të shprehur nëpërmjet formës dhe duke iu përshtatur sa më mirë kontekstit lokal, si dhe raportit me natyrën e kushtet ambjentale. Propozimet janë konceptuar në harmoni me elementet e natyrës dhe me materiale ekologjike lokale, prodhimi dhe shkatërrimi i të cilave nuk cënon ambjentin. Pjesëmarrësit kanë bërë vizita në Prishtinë e Prizren, për të parë banesa të ndryshme, dhe kanë vazhduar punën në Modelarium, duke realizuar maketet dhe vizualizimet e projekteve, për t’i ekspozuar mandej për publik.

W2 - Ndërhyrje Sociale/ Pasive/Radikale
Tutorë: Ajhan Bajmaku, Fitore Koja-Isufi, Miran Mohar
Kjo punëtori trajton situatën urbane, arkitektonike dhe poetike të qytetit të Prishtinës, duke u përqëndruar në anën pozitive të proçeseve të urbanizimit të qytetit, ku shumë forca dhe interesa takohen në një përplasje dramatike. Studentët kanë bërë vizita dhe inçzime të shumta në qytet, kanë punuar, diskutuar dhe kanë parë filma dokumentarë e performanca të shumta në studion e Fitore Koja-Isufi, e kanë punuar intensivisht edhe në Modelarium – FNA. Ata kanë dokumentuar propozimet e rastësishme, me vlerë, të cilat shpesh fshihen në ndërtimet informale të qytetit. Banorët e qytetit janë përcaktuesit e parë të nevojave të tij, prandaj dhe informaliteti i tyre, mund të jetë përcaktues i arkitekturës së të ardhmes. Ata do të prezantojnë instalacionet, kolazhet dhe performancat e tyre, me analizat filozofike të Prishtinës.

W3 – Projektimi i një qendre informative në Parkun e Gërmisë
Tutorë: Rozafa Basha,Valentina Tahirsylaj
Në vendin ku sot gjendet laura e hyrjes në Parkun e Gërmisë, do të projektohet një godinë minimale administrative. Pozita dhe rëndësia e objektit shtron kërkesa dhe kufizime arkitektonike dhe ambientale, që do të identifikohen dhe plotësohen me theks në parimet “eco” –logjike. Qëllimi është, që kandidatët të japin propozime të zgjidhjeve të qëndrueshme, me materiale lokale, duke gjykuar mbi kushtet që ofron lokacioni. Është me rëndësi qasja urbane, sociale dhe arkitektonike, duke e gërshetuar me filozofinë e të projektuarit “gjelbër”, që propozimi i objektit të ketë impakt të madh në komunitet.

W4 - Muralet dhe Qëndrueshmëria
Tutorë: Taki / Taulant Qerkini, Jetik Doli
Kjo punëtori mbledhi artistë lokalë, studentë, profesionistë të rinj dhe komunitetin, për të punuar një mural me mesazhe mbi qëndrueshmërinë dhe çështjeve të mjedisit. Punëtoria u realizua në bashkëpunim me atë dizajnimit të hapësirave publike të Fakultetit të Arkitekturës, pasi vepra u instalua në murin që rrethon këto hapësira. Duart e pjesëmarrësve u ngjyrosën, për të lënë mandej gjurmët në këtë mur. Gjatë ditëve të para ata punuan në Modelarium me skicë-ide, e dolën në terren për realizimin e tyre.

W5 - UP­cycling Campus: Dizajnimi dhe ndërtimi i strukturave të vogla në hapësirë publike, duke përdorur materiale të ripërdorshme
Tutorë: Elias Messinas, Teuta Jashari- Kajtazi, Elizabeta Poljoska
Hapësirën publike e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës u mor në studim, duke patur si pikënisje qëndrueshmërinë dhe duke e parë këtë hapësirë nga një këndvështrim i ri. Përmes dizajnit dhe projektimit të strukturave të reja të lehta, me materiale të ripërdorshme, u krijuan hapësira të reja që do të përdoren nga studentët dhe vizitorët e fakultetit. Nëpërmjet këtyre strukturave, kampusi do të ofrojë hapësira të reja për qëndrim dhe rekreacion, për të shijuar diellin, hijen, flladin, pra për t’i sjellë jetë hapësirës së jashtme të këtij fakulteti.

Punëtoritë prezantojnë propozimet e tyre këtë të shtunë, më datë 3 Tetor, dhe ekspozohen për publik në Bibliotekën Kombëtare në datat 5-6-7 Tetor. Projektet i jepen Komunës së Prishtinës, për tu implementuar më vonë në qytet.

ECOWEEK Prishtina 2015 u mundësua nga partnerët e saj: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Ambasada Franceze në Kosovë, Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Instituti Amerikan i Arkitektëve (AIA), Knauff, Roche, DETAIL Magazine, UbanMAG, ONUP, LightHouse Prishtina, SHARRCEM, Akull, ECOWEEK dhe Fondacioni Jeshil.
Për informacion të mëtejshëm, vizitoni: www.ecoweek-ks.org ose www.ecoweek.org /URBANmag.net

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.